Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë qëndrojnë sot në Bruksel për takime në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviq i Serbisë u ftuan nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak. Sipas burimeve të BE-së, janë dy qëllime kryesore që Lajçak do t’i ketë në bisedimet me shefat e dy delegacioneve.
I pari është fokusi në zbatimin e plotë të Marrëveshjes që shpie drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi – e arritur gojarisht në muajin shkurt në Bruksel – si dhe të aneksit për zbatim, i dakorduar në Ohër në muajin mars. Qëllimi i dytë është të diskutohen hapat për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Për këtë, Kosova dhe BE-ja janë dakorduar në një takim që Lajçak dhe Bislimi kanë zhvilluar javën e kaluar në Bratisllavë. Prishtina zyrtare thotë se i ka ndërmarrë hapat për të cilat është rënë dakord, ndërsa Beogradi zyrtar nuk e ka thënë qartë nëse ky pajtim për shtensionim është i pranueshëm për të.
Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës
Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së. Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.
Java e parë
Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.
Nga java e parë, në vazhdimësi
Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.
Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur
BE-ja do t’i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes.
Java e dytë
Burimi: Qeveria e Kosovës
Takimet dypalëshe kanë nisur në mëngjes, por burimet në BE nuk kanë bërë të ditur se deri kur mund të zgjasin. Edhe pse burimet e Bashkimit Evropian thonë se është synim që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të takohen edhe mes vete, një gjë e tillë nuk është konfirmuar. Një burim i BE-së ka thënë se “kjo do të varet nga vullneti dhe gatishmëria e palëve, më saktësisht e kryenegociatorëve, për t’u takuar mes vete“ ndërsa BE-ja “gjithsesi ka synim që të ketë edhe takim trepalësh“. Deri më tash ka ndodhur shpesh që në takimet e dialogut të ketë vetëm takime dypalëshe mes përfaqësuesve të BE-së dhe delegacionit të Kosovës, përkatësisht Serbisë. Kështu ka ndodhur edhe në qershor kur në Bruksel ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata patën takime të ndara me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, por jo edhe mes vete.
Ka qenë presidenti i Serbisë, Vuçiq, ai që ka refuzuar të ketë takim me kryeministrin e Kosovës, Kurti. Ka pasur raste kur edhe kryenegociatorët kanë refuzuar të ulen në takime të përbashkëta. Në situata të tilla, lehtësuesit nga ana e BE-së diskutojnë herë me njërën, e pastaj me tjetrën palë, në përpjekje për t’i afruar qëndrimet. Tensionet në veri të Kosovës e kanë kthyer procesin e dialogut në fazë të menaxhimit të krizave dhe kanë larguar fokusin nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit. Situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.
Tensionet kanë kulmuar në dhunë më 29 maj, kur protestuesit serbë në Zveçan janë përleshur me ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR. Dhjetëra të plagosur janë raportuar nga të dyja anët. Komuniteti ndërkombëtar ka bërë përgjegjëse Kosovën për tensionet e krijuara, ndërsa Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të martën se nuk sheh gatishmëri të Kosovës dhe Serbisë për ta zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, ndonëse ajo, sipas tij, ofron mundësi të jashtëzakonshme për të dyja vendet./rel