Lulzim Hetemi, kryetari shqiptar i Leposaviçit në veri të Kosovës, që prej datës 29 maj, është “ngujuar” në ndërtesën e komunës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh për mediat dy ditë më parë se nuk e ka kuptuar qëndresën e Lulzim Hetemit në këtë objekt, kur po krijohen kushtet për zgjedhje në veri.

“Nuk funksionon dot as funksionet bazike të një njeriu të lirë normal dhe të dali të marrë ajër jashtë godinës. Ajo që u bë me zgjedhjet është gjëja e duhur. Por, ajo u bë që edhe bashkitë, komunat me shumicë dërrmuese serbe të qeverisin shqiptarët. S’u bë për këtë. Ajo u bë për t’iu thënë serbëve që ju bojkotoni por mirë, ne s’i lëmë institucionet në vakuum. Ama në momentin kur krijohen kushtet për zgjedhje të parakohshme, s’ka më logjikë të mbahet vetëburgosuri i vetëvendosur në një godinë ku s’bëhet asnjë aktivitet”, deklaroi Rama.

Nga ana tjetër kryeministrti Albin Kurti sot e ka cilësuar shembullore qëndresën e tij në komunë por duke mos dhënë asnjë arsyetim konkret se pse kryetari i Leposaviç duhet të ‘izolohet’ në zyrë menjëherë pasi mori detyrën. Kurti gjithashtu e ka cilësuar si një çështje me interes të lartë kombëtar, rezistencën e Hetemit në zyrën e tij të punës. 

Hetemi, ka qenë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga lufta mundi të shpëtonte, por në përballjen kundër forcave serbe, Hetemi humbi motrën Fatimen, e cila po ashtu ishte pjesë e UÇK-së. 

Dy muaj më parë, kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lulzim Hetemi, premtoi se do t’i dilte për zot problemeve që ballafaqohen qytetarët e Komunës së Leposaviçit. Për mediat, para ditës së zgjedhjeve, ai u shpreh se gjendja e sigurisë në komunë, sidomos në tre fshatrat shqiptare, nuk ka qenë më e mirë asnjëherë dhe se incidente ndëretnike nuk ka pasur kurrë, duke mos ditur se në ditët e para të punës, situata është më e tensionuar se kurrë.