Një nga emrat më të njohur të kinematografisë turke, Afra Saraçoğlu, është bërë pjesë e një prej hetimeve më të bujshme që ka përfshirë së fundmi botën e showbiz-it në Turqi. Aktorja, ndaj së cilës ishte lëshuar urdhër ndalimi në kuadër të një hetimi për drogë, ndodhej jashtë vendit kur lajmi u bë publik. Saraçoğlu reagoi menjëherë duke mohuar se ishte ndaluar dhe sqaroi se ndodhej jashtë Turqisë për një udhëtim pune të planifikuar prej kohësh.
Në deklaratën e saj, aktorja u shpreh se do të kthehej sa më shpejt në vend për të dhënë dëshminë e saj dhe për të bashkëpunuar me autoritetet. “Për të siguruar që drejtësia të vihet në vend dhe procesi të vijojë në mënyrën më të duhur, do të kthehem në vendin tim sa më shpejt të jetë e mundur dhe do të jap dëshminë time në bashkëpunim të plotë me autoritetet gjyqësore”, deklaroi ajo.
Saraçoğlu theksoi gjithashtu se e kishte ndërgjegjen e qetë dhe se besonte që gjithçka do të sqarohej. Por kthimi i saj në Turqi solli menjëherë zhvillimin e radhës. Sipas raportimeve të mediave turke, aktorja është ndaluar në aeroport sapo ka mbërritur në vend, në zbatim të urdhrit të lëshuar ndaj saj.
Hetimi po zhvillohet nga Prokuroria e Përgjithshme e Bakırköy-t dhe lidhet me dyshime për përdorim droge, lehtësim të përdorimit të saj apo sigurim të ambienteve për konsum. Në kuadër të operacionit të parë, janë lëshuar urdhra ndalimi për 18 persona, mes tyre emra të njohur të industrisë turke të argëtimit.
Në listë janë aktorët Aras Bulut İynemli, Melis Sezen, Nilperi Şahinkaya dhe Melisa Şenolsun, këngëtari Sefo, ish-futbollisti Hasan Şaş, krijuesja e përmbajtjes Melis İşiten, gazetari dhe komentatori sportiv Yağız Sabuncuoğlu, modelja Yeliz Yeşilçimen, si edhe persona të tjerë. Ndërkohë, në një hetim tjetër të zhvilluar nga e njëjta prokurori, lidhur me dyshime për përdorim dhe furnizim me drogë, si dhe prostitucion, janë lëshuar urdhra ndalimi për gjashtë persona të tjerë. Kështu, numri i personave të përfshirë në dy hetimet ka shkuar në 24.




