Xheneta Fetahu ka bërë një reagim të fortë dhe emocional përmes një postimi në “Instastory”. Ajo u është përgjigjur komenteve ofenduese që merr në lidhje me pamjen fizike dhe peshën e saj.

Në postimin në fjalë, Xheneta shprehet e tronditur nga mënyra se si njerëzit ndihen të lirë të gjykojnë trupin e saj, duke vënë në dukje një standard të dyfishtë në reagimet e ndjekësve.

Sipas Fetahut, kritikat nuk kanë munguar as në periudhën kur ishte shumë e dobët dhe as tani që ka shtuar peshë.

Xheneta ka zbuluar gjithashtu se në të kaluarën, humbja e madhe në peshë lidhej me probleme shëndetësore, duke theksuar se ajo periudhë nuk ka qenë aspak e lehtë për të.

E irrituar nga komentet negative, ajo u drejtohet hapur kritikëve, duke theksuar se shpesh ata që gjykojnë më shumë janë pikërisht ata që kanë pasiguri dhe probleme personale. Në mesazhin e saj, Xheneta i fton ndjekësit të reflektojnë dhe të fokusohen në jetën e tyre.

Reagimi i plotë i Xheneta Fetahut:

“Kam ditë që dua të reagoj, por ende jam në shok nga mënyra se si njerëzit ndihen kaq të lirë të komentojnë mbi trupin tim.

Kur kam qenë shumë e dobët, më quajtët ‘shtag sorr’ dhe gjëra të tjera. Sot, që kam shtuar peshë dhe jam më mirë me shëndetin tim, vazhdoni me komente si ‘bark shtatzënë’ apo ‘balenë’.

E vërteta është kjo: në atë kohë nuk kam qenë mirë. Tani jam më mirë dhe kjo është ajo që ka rëndësi.

Nuk arrij të kuptoj pse ndiheni kaq të përfshirë në trupin tim. Sinqerisht, do doja të gjeja të paktën një person që ka një jetë perfektë dhe një trup ‘perfekt’ që më kritikon por realiteti është se shumica prej jush keni problemet tuaja dhe një jetë aspak të mirë.

Merruni me jetën tuaj.

Sepse kjo që po bëni nuk është ‘shaka’ apo ‘opinion’ – është bullizëm i qartë.

Dhe duhet të ndalojë”.