Aktori i njohur, Christopher Lambert, ka përjetuar një moment shqetësues gjatë fundjavës, teksa merrte pjesë në konventën Steel City Con në Pittsburgh.
Ylli i “Highlander” u rrëzua papritur ndërsa ishte duke firmosur autografe dhe takuar fansat e tij. Pas incidentit, Lambert u nxor nga ambientet e eventit me ambulancë për të marrë ndihmë mjekësore.
Megjithatë, situata rezultoi më pak serioze nga sa u duk fillimisht. Përfaqësuesi i aktorit bëri të ditur se Lambert ndodhet në dhomën e hotelit dhe po pushon, ndërsa gjendja e tij nuk konsiderohet shqetësuese.
Sipas përfaqësuesit, episodi mund të jetë shkaktuar nga lodhja, mungesa e gjumit dhe ushqimit. Aktori nuk kishte fjetur gjatë natës përpara eventit dhe nuk kishte konsumuar mjaftueshëm ushqim gjatë ditës, çka dyshohet se mund t’i ketë ulur nivelin e sheqerit në gjak.
Për momentin nuk ishte e qartë nëse Lambert do të rikthehej në konventë të dielën, pasi vendimi do të varej nga gjendja e tij gjatë rikuperimit.
Megjithatë, aktori pritet të marrë pjesë në një tjetër aktivitet publik, FAN EXPO Chicago, javën e ardhshme.
Christopher Lambert u bë i famshëm ndërkombëtarisht falë rolit të Connor MacLeod në filmin kult “Highlander”, të publikuar në vitin 1986, si dhe në vazhdimet e tij.
Gjatë karrierës së tij, ai ka interpretuar gjithashtu Tarzanin në “Greystoke” dhe është shfaqur në filmin “Mortal Kombat”.
Incidenti i fundit nuk është problemi i parë shëndetësor që ka përjetuar aktori. Vitin e kaluar, Lambert u rrëzua në shkallë dhe pësoi një dëmtim në shpinë, nga i cili më pas u rikuperua.
Pavarësisht momentit shqetësues në Pittsburgh, përfaqësuesit e tij kanë bërë të ditur se aktori po pushon dhe po monitorohet pas incidentit.



