Pas një beteje ligjore që zgjati thuajse dy vjet, avokati i Justin Baldonit shpreson që konflikti mes klientit të tij dhe Blake Lively yë jetë mbyllur njëherë e mirë. Në mënyrë që të dy aktorët e famshëm të vazhdojnë jetën e tyre normalisht, duke hedhur pas krahëve një nga dramat më të bujshme në kinematografi së fundmi.

Gjatë një interviste në emisionin “The Megyn Kelly Show”, avokati Bryan Freedman foli për marrëveshjen e arritur mes palëve dhe shpjegoi pse vendosi të publikojë të plotë dokumentin e marrëveshjes. Sipas tij, qëllimi ishte të sigurohej që çështja të mos rihapej në të ardhmen.

“Palët kërkonin një zgjidhje përfundimtare. Marrëveshja nuk i jep mundësi askujt të rikthejë pretendime të mëparshme, si dëmshpërblimet, penalitetet apo kompensimet e tjera financiare”, sqaroi avokati i aktorit Baldoni.

Freedman shtoi se e vetmja çështje që mbetet ende për t’u vendosur është shuma e tarifave ligjore që duhet të paguhen sipas një kërkese që lidhet me pretendimin për shpifje.

Javën e kaluar, gjyqtari Lewis J. Liman vendosi që Blake Lively ka të drejtë të kompensohet për shpenzimet e mbrojtjes së saj ligjore, duke u mbështetur në ligjin kalifornian të vitit 2023, i njohur si Protecting Survivors From Weaponized Defamation Lawsuits Act (Seksioni 47.1). Ky ligj synon të mbrojë viktimat e ngacmimit seksual, abuzimit dhe diskriminimit nga paditë për shpifje që mund të përdoren si formë hakmarrjeje.

Avokati Freedman u shpreh se tashmë është koha që të gjithë të ecin përpara.

“Mendoj se më në fund ka marrë fund. Shpresoj që Blake të mund të vazhdojë jetën e saj, ashtu si edhe Justin dhe të gjitha palët e tjera të përfshira. Ka ende disa çështje dytësore që duhen zgjidhur, por thelbi i konfliktit tashmë është mbyllur. Shpresoj që të gjithë t’i urojnë më të mirat njëri-tjetrit dhe të arrijnë në pikën ku të thonë: mjaft është mjaft, mund të mos biem dakord, por duhet të vazhdojmë përpara”, deklaroi ai.

Vendimi për pagesën e tarifave ligjore erdhi një muaj pasi Baldoni dhe Lively arritën një marrëveshje jashtë dyerve të gjykatës. Zgjidhja u arrit vetëm dy javë përpara se çështja të hynte në fazën e gjykimit federal.