Në Sydney, një grua është varrosur në një arkivol të prodhuar me kërpudha. Ky është rasti i parë i këtij lloji në Australi dhe tregon se qëndrueshmëria mjedisore po bëhet një çështje gjithnjë e më e rëndësishme për shumë njerëz, edhe pas vdekjes. Ceremonia mortore u zhvillua në Faulconbridge, ndërsa më pas Carolyn, 70-vjeçarja, u transportua në Blue Mountains, në shtetin e Uellsit të Ri Jugor. Arkivoli i saj pritet të shndërrohet së shpejti në ushqim për tokën. Sipas projektuesit Bob Hendrikx, rreth 45 ditë pas varrosjes materiali pritet të shpërbëhet.

“Në kushte ideale, pas 45 ditësh do të jetë një me tokën dhe, në vend që ta ndotë atë, do ta pasurojë”, deklaroi Hendrikx për Sydney Morning Herald. Si është prodhuar arkivoli? Ideja për arkivolin ekologjik lindi nga startup-i holandez Loop Biotech, i themeluar nga 32-vjeçari Bob Hendrikx. Arkivoli prodhohet duke bashkuar micelin, pjesën vegjetative të kërpudhave, me fibra kërpi të përftuara nga mbetjet bujqësore.

Materiali kompaktohet më pas në një kallëp, brenda një ambienti me temperaturë të kontrolluar, dhe i duhen rreth një javë për t’u bashkuar dhe formuar strukturën e arkivolit. Pasi arkivoli varroset, strukturës i duhen vetëm 45 ditë për t’u integruar me tokën dhe për ta pasuruar atë, ndryshe nga arkivolet e zakonshme prej druri, të cilave mund t’u duhen rreth 50 vjet për t’u dekompozuar.

Punonjësit e kompanisë Grace Funerals thonë se gjatë pesë viteve të fundit është rritur interesi i familjeve për ceremonitë mortore ekologjike. Sipas antropologëve kulturorë të Universitetit të Melbourne, kjo vëmendje lidhet edhe me rënien e numrit të njerëzve që besojnë në fetë tradicionale. “Shumë qytetarë sot preferojnë ta zëvendësojnë idenë klasike të parajsës me një narrativë të përqendruar te rikthimi biologjik në tokë”, shprehen ata.

Një ndikim i rëndësishëm në mjedis. Në një vend ku zhvillohen rreth 200 mijë funerale në vit, ndikimi mjedisor i praktikave tradicionale mbetet i konsiderueshëm. Kremimet janë më të shumta se varrimet, me një raport prej 7 me 3, kryesisht për shkak të kostove më të ulëta. Megjithatë, një kremim i vetëm mund të çlirojë në atmosferë më shumë se 100 kilogramë dioksid karboni. Për të reduktuar ndotjen, po shqyrtohen disa alternativa, mes tyre hidroliza alkaline dhe kompostimi njerëzor.

Hidroliza alkaline është një proces i ngjashëm me kremimin, por në vend të zjarrit përdor ujë. Ndërsa kompostimi njerëzor konsiston në shpërbërjen e mbetjeve trupore me materiale organike, si ashkla druri dhe kashtë, për një periudhë prej disa javësh. Në Australi, së fundmi është paraqitur një projektligj për legalizimin e kompostimit njerëzor në Uellsin e Ri Jugor, i cili mund ta bëjë këtë shtet të parin në vend që autorizon një praktikë të tillë.