Çifti i famshëm, Justin dhe Hailey Bieber, është sërish në qendër të vëmendjes, pasi një moment mes tyre ka bërë fansat të ngrenë pikëpyetje për marrëdhënien e tyre.
Dyshja mori pjesë të dielën, më 30 gusht, në dasmën e Finneas O’Connell dhe Claudia Sulewski, ku Billie Eilish ishte ajo që drejtoi ceremoninë. Por, mes atmosferës festive, vëmendjen e mori një bisedë e Justin dhe Hailey, të cilët u dukën të përfshirë në një komunikim mjaft të tensionuar.
Pamjet bënë që disa fansa të spekulonin sërish për probleme në martesën e tyre, madje edhe për një ndarje të mundshme. Megjithatë, një eksperte e gjuhës së trupit ka ofruar një interpretim më të rezervuar të situatës.
Sipas Judi James, mënyra se si Hailey e ndoqi me sy Justin, ndërsa ai po largohej, mund të tregojë “tension ose dramë” mes tyre. Në të njëjtën kohë, ajo vuri re se Justin kishte një qëndrim disi të përkulur dhe dukej më pak energjik apo pozitiv.
Pavarësisht kësaj, ekspertja theksoi se Hailey lëvizte duart dhe tregonte me gisht gjatë bisedës, por jo drejt Justin, ndaj nuk kishte shenja të qarta se ata po ziheshin me njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se ajo që fansat interpretuan si konflikt mund të ketë qenë thjesht një bisedë e ngarkuar emocionalisht.
Çifti do të festojë muajin e ardhshëm tetëvjetorin e martesës. Justin dhe Hailey u martuan fillimisht në një ceremoni civile në shtator të vitit 2018, vetëm tre muaj pasi u fejuan, ndërsa një vit më vonë organizuan një ceremoni më të madhe me familjarë dhe miq.
Në vitet që pasuan, martesa e tyre është shoqëruar shpesh me spekulime për probleme në çift. Vitin e kaluar, Justin dhe Hailey u bënë prindër të një djali, ndërsa thashethemet për marrëdhënien e tyre vazhduan edhe pas ardhjes në jetë të fëmijës.
Edhe Justin ka pranuar më parë se marrëdhënia e tyre nuk ka qenë gjithmonë pa probleme. Në një postim, këngëtari tregoi për një debat të madh me Hailey-n lidhur me kopertinën e saj të Vogue, duke pranuar se kishte qenë i ashpër me të sepse ishte ndier i fyer dhe kishte dashur “t’i kthente reston”. Më vonë, ai kërkoi falje publikisht.
Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim se Justin dhe Hailey Bieber po divorcohen. Një moment i filmuar në një dasmë mund të ketë mjaftuar për të ndezur sërish spekulimet, por vetëm çifti e di se çfarë po ndodh realisht pas dyerve të mbyllura.





