Këngëtarja e njohur britanike, Lily Allen, ka tërhequr vëmendjen e publikut me një paraqitje të pazakontë gjatë turneut të saj muzikor, duke nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale.
Artistja, e cila prej muajsh ka qenë në qendër të vëmendjes për albumin e saj “West End Girl”, u shfaq në skenë me një veshje të krijuar nga materiale të printuara me fatura blerjesh që, sipas raportimeve, lidhen me ish-bashkëshortin e saj, aktorin David Harbour.
Momenti u bë viral gjatë një performance të këngës “4chanStan”, ku Allen përdori në mënyrë teatrale elemente që lidhen me tekstin e këngës, e cila trajton temat e tradhtisë, zhgënjimit dhe fundin e një marrëdhënieje.
Albumi “West End Girl”, i publikuar pas ndarjes së çiftit, përmban këngë që shumë fansa i kanë interpretuar si referenca ndaj martesës së saj me Harbour. Vetë këngëtarja ka pranuar më parë se projekti është frymëzuar nga përvoja personale, megjithëse ka theksuar se përmban edhe elemente artistike dhe fiktive.
Nga ana tjetër, Harbour ka reaguar së fundmi për herë të parë ndaj albumit, duke deklaruar se respekton të drejtën e ish-bashkëshortes për të shprehur përvojat e saj përmes artit, por duke shtuar se ajo që përshkruhet në album “nuk ishte përvoja ime”.
Paraqitja e Allen në skenë ka ndarë opinionet e publikut. Disa e kanë vlerësuar si një formë të guximshme shprehjeje artistike, ndërsa të tjerë e kanë cilësuar si një “hakmarrje publike” ndaj ish-partnerit.
Megjithatë, një gjë është e sigurt: këngëtarja ka arritur sërish të jetë në qendër të diskutimeve me stilin e saj provokues dhe performancat që nuk kalojnë kurrë pa u komentuar.





