Një 25-vjeçar i burgosur, i cili akuzohet për vrasjen e pedofilit, vokalistit të grupit “Lostprophets”, Ian Watkins, mendonte se do bëhej i famshëm pas sulmit fatal prej 20 sekondash.

Mediat e huaja shkruajnë, prokurorët i thanë jurisë se Rico Gedel i kishte thënë një oficeri të burgut:

“Nëse e kam vrarë unë, mund të jesh duke folur me dikë të famshëm”.

Ndërkohë Watkins, 48 vjeç, u ther për vdekje në qelinë e tij në burgun e sigurisë së lartë HMP Wakefield, ku po vuante një dënim me 29 vjet burg për vepra penale seksuale ndaj fëmijëve.

Gjykata e Kurorës në Leeds dëgjoi se i burgosuri Gedel hyri në qelinë e Watkins më pak se 20 minuta pasi ajo ishte hapur për mëngjes, më 11 tetor të vitit të kaluar. 25-vjeçari e goditi me thikë tri herë në kokë dhe qafë duke përdorur një thikë të bërë në shtëpi.

Pastaj Gedel ia kaloi armën të burgosurit tjetër Samuel Dodsworth, i cili e hodhi në një kosh plehrash. Prokurorët thanë se sulmi zgjati vetëm 20 sekonda dhe Gedel dyshohet se tha “gjumë të mirë djaloshi Watkins”, kur u çua pranë qelisë ku ish-ylli i rokut po merrte trajtim mjekësor.

“Nëse do të dënohem me burgim të përjetshëm për vrasje, do të sigurohem që ia vlen”, thuhet se i tha Gedel një oficeri.

Pamjet e kamerave të sigurisë treguan 25-vjeçarin të hynte në qelinë e Watkins në orën 9:19 të mëngjesit dhe të largohej afërsisht 20 sekonda më vonë përpara se të dyshohej se i jepte një send të burgosurit Samuel Dodsworth, 44 vjeç.

Ky i fundit akuzohet se ka vepruar si vrojtues dhe ka asgjësuar armën pas goditjes me thikë. Të dy të pandehurit mohojnë vrasjen dhe posedimin e një arme në burg.

Anëtarëve të jurisë iu tha se Watkins pësoi tre plagë të prera në kokë dhe qafë.

Kur u pyet se kush i shkaktoi lëndimet Watkins, Gedel thuhet se u përgjigj: “Zoti”.

Gjatë intervistave në polici, Gedel thuhet se tha se ishte xheloz për “të burgosurit e panjohur (pedofilë)” sepse ata trajtoheshin “si mbretër” brenda burgut.

Prokurori Tom Storey tha se Watkins ishte një i burgosur “veçanërisht famëkeq dhe i profilit të lartë” i cili kishte marrë kërcënime nga të burgosurit para vdekjes së tij.