Pas më shumë se 60 ditësh brenda shtëpisë më të ndjekur në televizion, Alessandra Mussolini është fituesja e “Grande Fratello VIP”. 63-vjeçarja ka triumfuar në përballjen finale me 55.95% të votave në televotimin përfundimtar, kundrejt 44.05% për Antonella Elia.

Ndër të gjitha pikat kryesore të këtij edicioni të reality show-t, rivaliteti dhe miqësia mes Mussolini-t dhe Elia-s, të konsideruara nga publiku si ‘mbretëreshat’ e vërteta të shtëpisë, ishte një moment përcaktues.

“Do t’a mbaj gjithmonë në zemër”, ka thënë Alessandra për përvojën e saj në këtë edicion të “Grande Fratello VIP”.

Duke festuar suksesin e saj në stacionin televiziv privat të Mediaset, Canale 5, Mussolini tha:

“E shijova gjithçka në maksimum, ashtu siç jam. Nuk pendohem për asgjë”.

Musolini do të marrë një çmim prej 100,000 eurosh, gjysma e të cilave do të dhurohen për bamirësi.

63-vjeçarja ishte anëtare e Parlamentit Evropian, por shërbeu në të dy dhomat e Parlamentit italian. Fillimisht ajo ishte anëtare e një partie të vogël neofashiste, të ekstremit të djathtë, përpara se t’i bashkohej radhëve të partisë Forza Italia të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi.

Tani ajo është anëtare e partisë së krahut të djathtë, populiste “Lega”, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.

Përpara se të hynte në politikë, ajo punoi si modele, aktore dhe këngëtare. Mussolini u shfaq gjithashtu në vitin 2020 në konkursin e vallëzimit “Ballando con le stelle”, ku ajo u rendit e treta.

Alessandra është vajza e Romano Mussolini, djalit më të vogël të Benito Mussolini, dhe gruas së tij të parë, Maria Scicolone, motra e yllit të filmit Sophia Loren.