Çifti i famshëm, Dua Lipa dhe Callum Turner, ka kurorëzuar dashurinë në martesë, në një ceremoni private të zhvilluar në sallën historike Old Marylebone në Londër.

Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare dhe aktori 36-vjeçar, të cilët nisën lidhjen e tyre në vitin 2024, u shfaqën të buzëqeshur pas ceremonisë, të rrethuar nga familjarë dhe miq të afërt.

Çifti zyrtarizoi martesën në një atmosferë intime, ndërsa për javën e ardhshme kanë planifikuar një festë madhështore tre-ditore në Palermo, në rajonin e Sicilisë.

Pas përfundimit të ceremonisë, e cila zgjati rreth 30 deri në 40 minuta, të sapomartuarit u duartrokitën nga të afërmit përpara se të largoheshin me një taksi tradicionale të zezë londineze. Sipas burimeve pranë çiftit, zgjedhja e këtij mjeti transporti ishte dëshirë e vetë 30-vjeçares, e cila preferonte një largim sa më të thjeshtë nga ceremonia.

Megjithëse tashmë janë zyrtarisht burrë e grua, vëmendja është përqendruar te festa luksoze që do të zhvillohet në Palermo. Sipas raportimeve, çifti ka rezervuar një kat të tërë me suita në hotelin luksoz Villa Igiea, ndërsa ceremonia kryesore pritet të mbahet në Villa Valguarnera, një rezidencë historike e shekullit të 17-të në qytetin e Bagherias.

Në listën e të ftuarve përmenden emra të njohur të muzikës dhe modës si Elton John, Mark Ronson, Charli XCX, si dhe stilistja e famshme Donatella Versace.

Pikërisht Donatella Versace thuhet se ka punuar ngushtë me Dua Lipën për krijimin e fustanit të nusërisë që këngëtarja pritet të veshë gjatë ceremonisë së madhe në Siçili. Burime pranë çiftit e përshkruajnë ngjarjen si një nga dasmat më të rëndësishme të botës së spektaklit për vitin 2026.

Në një intervistë të mëparshme, Dua Lipa kishte konfirmuar fejesën e saj me 36-vjeçarin, duke e cilësuar atë si një hap shumë të veçantë në jetën e saj. Këngëtarja ka folur gjithashtu për dëshirën për të krijuar familje në të ardhmen, megjithëse ka theksuar se angazhimet profesionale dhe turnetë e shumta e bëjnë të vështirë përcaktimin e momentit të duhur.