Listës së saj të gjatë të përvojave të punës, që përfshin filmin, muzikën, politikën dhe vallëzimin në televizion, Alessandra Mussolini i ka shtuar tani edhe titullin e fitueses së edicionit të fundit të “Grande Fratello VIP”.

“Erdha për t’u argëtuar, për të qenë më në fund në gjendje të them atë që kam në mëndje. Në realitet, nuk ka një liri të tillë. Unë isha Alessandra. Alessandra dhe kaq, pa armaturën”, ka thënë 63-vjeçarja romake disa orë pas triumfit të saj televiziv.

Mussolini ka shtuar se tani që ka dalë nga reality show, ka dalë me qëndrime të ndryshuara:

“Tani pi kapuçino pa sheqer dhe shkoj në shtrat vonë, ndërsa zakonisht e fik telefonin në orën 9”.

Ndërkohë kthimi në normalitet nënkupton gjithashtu dhe rikthimin e telefonit të saj, leximin e dhjetëra mesazheve dhe kontaktimin e atyre që ishin më afër saj, përfshirë këtu edhe tezen Sophia Loren.

Si ka reaguar aktorja e famshme italiane për fitoren e mbesës?

 “Ajo më mori në telefon. E shijoi shumë vallëzimin me Mambo Italiano, një nga skenat e saj më të famshme. Është shumë e lumtur me mua. ‘Çfarë ke mundur të bësh!’. Zakonisht flasim çdo të diel”, ka treguar ish-politikania italiane.

Gjithashtu në shtëpinë e “Grande Fratello VIP”, Mussolini herë pas here ka folur dhe për nënën e saj, Maria Scicolone. E sot, mendimet e saj janë pikërisht me të.

“Ajo ka Alzheimer, është më e brishtë, por prapë më njeh. Është e gëzuar, thjesht harron gjëra, gjë që ndonjëherë është më mirë. Shpresoj që motra ime Elisabetta t’i ketë treguar disa fragmente të programit, mezi pres t’a vizitoj”, ka thënë 63-vjeçarja.