Aktorja e famshme e Hollywood-it, Nicole Kidman, është rikthyer në qendër të vëmendjes së mediave rozë pasi është fotografuar në shoqërinë e biznesmenit amerikan, Michael Reinstein, duke nxitur spekulime për një lidhje të mundshme mes tyre.

59-vjeçarja u pa në Los Angeles, ku Reinstein e priti në aeroport pas kthimit të saj nga Nju Jorku. Në fotografitë e publikuara, Kidman shihet duke hipur në Ferrarin e zi të investitorit, një detaj që ka shtuar edhe më shumë aludimet për raportin mes tyre.

Nuk është hera e parë që të dy shfaqen së bashku. Në fillim të muajit korrik, ata u fotografuan edhe në Portofino të Italisë, ku kaluan kohë në një hotel luksoz dhe u panë duke shijuar pushimet, duke ushqyer zërat për një afërsi mes tyre.

Michael Reinstein është një sipërmarrës dhe investitor amerikan, themelues dhe president i kompanisë Regent, me seli në Beverly Hills. Kompania e tij investon në sektorë të ndryshëm, përfshirë modën, teknologjinë, median dhe tregtinë me pakicë.

Paraqitjet e tyre të përbashkëta vijnë disa muaj pas raportimeve për ndarjen e Nicole Kidman nga këngëtari Keith Urban, me të cilin ishte e martuar për gati dy dekada dhe ka dy vajza.

Sipas burimeve pranë aktores, Kidman po përjeton një kapitull të ri në jetën e saj, duke i kushtuar më shumë vëmendje familjes dhe mirëqenies personale.

Megjithatë, as Nicole Kidman dhe as Michael Reinstein nuk kanë komentuar mbi spekulimet që po qarkullojnë, ndërsa natyra e marrëdhënies së tyre mbetet e pakonfirmuar.