Pas gjashtë vitesh larg Britanisë së Madhe, Meghan Markle dhe Princi Harry duket se po përshtaten me jetën e tyre të re në vendin ku u larguan në vitin 2020.

Më 13 shtator, Meghan publikoi në profilin e saj zyrtar në “Instagram” një video të shkurtër me momente nga përditshmëria familjare, duke dhënë për herë të parë një pamje më të afërt të jetës së tyre në Britani pas rikthimit.

Në videon rreth 35-sekondëshe shfaqen Meghan dhe Harry duke ecur dorë për dore në natyrë, ndërsa më pas shihen fëmijët e tyre, Princi Archie dhe Princesha Lilibet, duke luajtur jashtë, duke ngarë biçikletën dhe duke kaluar kohë me prindërit. Familja shfaqet gjithashtu duke shijuar një ditë në natyrë dhe duke peshkuar.

Një prej detajeve që ka tërhequr më shumë vëmendjen është zëri i Archie, 7 vjeç, i cili dëgjohet duke inkurajuar motrën e tij teksa ajo mëson të ngasë biçikletën. Disa media kanë vënë në dukje edhe theksin e tij, duke e konsideruar si një shenjë të ndikimit britanik pas rikthimit të familjes në vend.

View this post on Instagram

A post shared by Meghan, Duchess of Sussex (@meghan)

Videoja është shoqëruar me këngën “Wake Me Up Before You Go-Go” të Wham!, ndërsa në të shfaqen edhe emoji me flamurin britanik dhe zemra të kuqe, duke i dhënë pamjeve një atmosferë familjare dhe festive.

Harry dhe Meghan u rikthyen në Britani më 26 gusht, së bashku me dy fëmijët, pas rreth gjashtë vitesh jetë në Kaliforni. Archie dhe Lilibet tashmë kanë nisur shkollën në Britani, ndërsa familja pritet të qëndrojë për një periudhë të zgjatur në vend.

Rikthimi i tyre ka ardhur në një moment kur statusi i çiftit është bërë sërish temë diskutimi. Më herët këtë muaj, Mbreti Charles III konfirmoi se Harry dhe Meghan vazhdojnë të jenë qytetarë privatë dhe nuk janë rikthyer si anëtarë aktivë të Familjes Mbretërore. Ata nuk kryejnë detyra zyrtare në emër të monarkisë dhe nuk përdorin titujt HRH.

Megjithatë, në pamjet e publikuara nga Meghan, vëmendja është larg protokollit mbretëror. Videoja fokusohet te familja dhe jeta e përditshme e Sussex-ëve, duke dhënë një nga pamjet më të rralla të tyre pas rikthimit në Britani.