Në muajt e ardhshëm do të dalin në ankand sendet personale të aktorit të ndjerë, Matthew Perry, në një nismë të përbashkët me fondacionin e tij jofitimprurës. Lajmi u bë i ditur nga Heritage Auctions.
Mediat e huaja shkruajnë se, ankandi do të nisë më 5 qershor dhe të ardhurat neto do të përdoren për të mbështetur misionin e fondacionit: ndërtimin e një të ardhmeje pa stigmatizim ndaj varësisë, ku çdo person që kërkon ndihmë ka akses në kujdesin dhe burimet e nevojshme për shërim.
Përfitues të tjerë përfshijnë Bursën e Fondacionit Matthew Perry në Mjekësinë e Varësisë në Massachusetts General Hospital, si dhe organizata të tjera që punojnë në trajtimin e varësisë, përfshirë edhe festivalin muzikor të fokusuar në shërim Healing Appalachia.
Matthew Perry, i njohur për rolin e tij në serialin “Friend”s dhe i nominuar pesë herë për çmimin Emmy, ka folur hapur për betejën e tij afatgjatë me varësinë.
“Matthew Perry ishte një person që publiku mendonte se e njihte mirë. Përmes punës dhe sinqeritetit të tij, ai krijoi një lidhje të veçantë me audiencën në mbarë botën,” tha Joe Maddalena nga Heritage Auctions. “Ky ankand u jep fansave mundësinë të lidhen me historinë e tij përmes objekteve personale.”
Sipas organizatorëve, ankandi nuk është vetëm një mundësi për koleksionistët, por edhe një mënyrë për të mbështetur kauzën që aktori e kishte shumë për zemër – ndihmën ndaj personave që luftojnë me varësinë.
Ndër objektet më të veçanta që do të dalin në ankand janë sende të lidhura me “Friends”, përfshirë një koleksion prej 26 skenarësh dhe dy të tjerë të firmosur nga aktorët kryesorë si Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer. Po ashtu, do të ofrohen një album fotografik i veçantë dhe korniza ikonike e verdhë nga apartamenti i personazhit Monica.
Në ankand përfshihet edhe çmimi i aktorit nga “Screen Actors Guild” i vitit 1995 për performancën në një serial komik, si dhe vepra arti nga artistë të njohur si Banksy dhe Mel Bochner.
Procesi i ofertimit ka nisur tashmë, ndërsa artikujt do të ekspozohen publikisht në Beverly Hills nga 18 deri më 29 maj. Ankandi do të zhvillohet si online ashtu edhe fizikisht në Dallas më 5 qershor.
Drejtoresha ekzekutive e fondacionit, Lisa Kasteller Kallio, theksoi se kjo nismë synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të zgjerojë aksesin në trajtim: “Matthew besonte se varësia duhet trajtuar me dhembshuri dhe shkencë, jo me stigma dhe heshtje.”



