Aktori i famshëm, Tom Hanks, beson se edhe pasi të ketë ndërruar jetë mund të vazhdojë të shfaqet në filma të rinj. Sipas tij, kjo mund të ndodhë falë fuqisë së inteligjencës artificiale.
Duke folur për episodin e fundit të “The Adam Buxton Podcast”, 66-vjeçari tha se nëse do të donte, mund të prezantonte një seri prej shtatë filmash, në të cilët do të ishte 32-vjeçar.
“Të gjithë mund ta rikrijojnë veten në çdo moshë duke përdorur inteligjencën artificiale ose teknologjinë ‘deepfake’. Unë mund të përplasem nga një autobus nesër, të vdes, por rolet e mia mund të vazhdojnë”, tha aktori i famshëm.
Gjithsesi Tom Hanks pranoi se versioni i tij ‘AI’ nuk do të ishte në gjendje të performonte aq mirë sa ai tani.
“Njerëzit padyshim do të jenë në gjendje ta bëjnë dallimin, por pyetja është a do t’u pengojë? Ka njerëz për të cilët është njësoj”, shtoi aktori i famshëm.
Hanks ka deklaruar gjithashtu se zhvillimi i inteligjencës artificiale po inkurajon agjentët filmikë të shkruajnë kontrata për të mbrojtur personazhet e aktorëve si pronë intelektuale.
“Mund t’ju them se po bëhen diskutime në të gjitha nivelet, të gjitha agjencitë dhe të gjitha firmat juridike, për të arritur pasojat juridike të fytyrës dhe zërit tim dhe të njerëzve të tjerë dhe që të gjitha të mbeten pronë e jona intelektuale”, përfundoi ai.