Gjykata e Tiranës vendosi masën “detyrim paraqitje” për pesë punonjësit IT pranë Departamentit të Administratës Publike, të akuzuar për “shpërdorim detyre” pas sulmeve kibernetike nga Irani.

Gjykatësja nuk e vlerësoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës, e cila kërkoi masën “arrest shtëpie”.

Punonjësit Rudina Llagami, Albi Gjeka, Altin Sallaku, Alketa Sulo dhe Igli Lubonja, janë angazhuar pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administratë.al.

Sipas prokurorisë, nëse ata do të kishin vepruar në përputhje me Rregulloren e Sigurisë së Informacionit dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit.

Nëse do të kishin vepruar kështu, atëherë do të ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t.

Kujtojmë se në korrik të këtij viti, shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht për shkak të sulmit kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga Irani.

Pas sulmit kibernetik të faqeve zyrtare online, hakerët sulmuan më pas sistemin TIMS, duke sjellë kaos prej javësh në pikat kufitare të vendit.

Pasi sulmuan sistemin TIMS në Shqipëri, hakerat iranianë publikuan një video në faqen ‘Homeland Justice’ në pikën kufitare të Rinasit, në momentin që policët zbuluan se kishin rënë pre e një sulmi.

Pas sistemit TIMS, grupi kriminal iranian publikoi të dhëna sensitive nga sistemi MEMEX, i cili përmban listën e personave të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale.

Më vonë, e-maile dhe të dhënat e ish-Drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano u publikuan sërish nga hakerët iranianë të “Homeland Justice”.

Pas Nanos, dolën të dhënat e drejtorit aktual të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe dy pasaportat e kryeministrit Edi Rama, një diplomatike dhe një e zakonshme si dhe udhëtimet e tij që prej vitit 2004 deri në maj të vitit 2022.

Hakerët para pak ditësh publikuan patentat me të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë të pajisur me leje drejtimi.

Kujtojmë se qeveria shqiptare mori vendimin që të dëbonte diplomatët iranianë në Tiranë pas kësaj situate të krijuar, duke njoftuar prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.

Stafi i ambasadës la pa memorie serverin e kamerave të sigurisë dhe disa pajisje teknologjike në godinë, ndërsa dogji dokumentet që gjendeshin në zyra.