Një 34-vjeçare ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Tiranë, pasi u kap duke shpërndarë drogë.
Mësohet se e arrestuara është Denisa Bushka, e cila u kap në flagrancë për shpërndarje droge nëpër zona të ndryshme të Tiranës.
Ajo u arrestua në rrugën “Bill Klinton” dhe gjatë kontrollit fizik i gjetën dhe i sekuestruan sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në 40 doza, gati për shitje.
Nga hetimet ka rezultuar se 34-vjeçarja, pasi siguronte lëndë narkotike kokainë, e përgatiste atë në doza (10-50 gramë) dhe i shpërndante ato në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonën e Komunës së Parisit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.